VAJTJA NE BANJE

VAJTJA NE BANJE

 

Vajtja në banjë

 

Për atë që shkon në banjë ka disa rregulla:

1- Nuk është mirë që njeriu që shkon në banjë të ketë me vete ndonjë gjë në të cilën është i shkruar emri i Allahut, përveçse në rastin kur ai ka frikë se e humb apo ja vjedhin atë objekt.

Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut kishte një unazë në të cilën ishte gdhendur fjala “Muhamed Resulullah” (Muhamedi është i Dërguari i Allahut), dhe ai e hiqte atë përpara se të shkonte në banjë.[1]

Ibn Haxheri thotë se ky hadith është mual-lel[2] dhe Ebu Daudi thotë se ai është munker[3]. Megjithatë pjesa e parë e hadithit është e saktë.

 

2- Njeriu që shkon në banjë duhet të largohet dhe të fshihet nga njerëzit e tjerë

Kjo gjë duhet bërë patjetër në rastin e jashtëqitjes, në mënyrë që të tjerët të mos

dëgjojnë diçka të papërshtatshme apo të mos nuhasin erëra të këqija. Xhabiri tregon: “Ne ishim duke udhëtuar me të Dërguarin e Allahut dhe ai i kryente nevojat e tij personale vetëm kur ishte larg vështrimit tonë”.[4] E transmeton Ibën Maxheh.

Ebu Daudi e transmeton në këtë version: “Kur ai (Profeti a.s.) donte të kryente nevojat e tij personale, atëherë ai shkonte në një vend ku askush nuk mund ta shihte”.[5]

Si dhe: “Kur i Dërguari i Allahut kryente nevojat e tij personale, ai shkonte shumë larg”.[6] E transmeton Ebu Daudi.

 

3- Njeriu që shkon në banjë duhet të përmendë emrin e Allahut para se të hyjë në të dhe të kërkojë mbrojtje nga Allahu

Enesi transmeton se, kur i Dërguari i Allahut hynte në banjë, ai thoshte: “Me emrin e Allahut! O Allah, të lutem të më ruash nga të pistët[7] dhe të pistat ”. [8] E transmeton Grupi.

 

4- Njeriu që hyn në banjë nuk duhet të flasë

Po ashtu, ai nuk duhet t’i përgjigjet përshëndetjes apo të përsërisë fjalët e muezinit. Ai mund të flasë vetëm nëse është e nevojshme një gjë e tillë (p.sh.: tregimi i rrugës një të verbëri për të cilin ka frikë se mund të dëmtohet). Nëse ai teshtin, duhet të falënderojë Allahun në vetvete pa lëvizur gjuhën.

Ibn Umeri ka transmetuar se një burrë kaloi afër Profetit (a.s.) dhe e përshëndeti atë, ndërkohë që Profeti (a.s.) po urinonte. Profeti (a.s.) nuk ia ktheu atij selamin.[9] Transmeton grupi, përveç Buhariut.

Ebu Seid tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Allahu i urren ata që bisedojnë dhe zbulojnë pjesët e turpshme gjatë kohës kur janë duke kryer nevojat e tyre personale?!”[10] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh.

Ky hadith e përforcon më tepër faktin e të ndaluarit të bisedës (e të folurit) në këtë gjendje. Megjithatë, shumë dijetarë thonë që e folura është vetëm diçka e papëlqyeshme dhe jo e ndaluar.

 

5- Ai që shkon në banjë nuk duhet as të kthehet me fytyrë nga kibla dhe as t’ia kthejë shpinën asaj

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush kryen nevojat e tij personale, ai as nuk duhet të kthehet me

fytyrë nga kibla por as të kthehet me shpinë nga ajo”.[11] Tramsmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Një moslejim i tillë lë të kuptohet se kjo gjë është e papëlqyer. Ndërsa Ibën

Omeri ka treguar se ai shkoi njëherë tek shtëpia e Hafsasë, ku pa të Dërguarin e Allahut duke kryer nevojën, ndërkohë që ishte kthyer me fytyrë nga Shami dhe me shpinë nga Qabja.[12] Transmeton Grupi.

Disa i sqarojnë këto dy hadithe duke thënë se në shkretëtirë është i ndaluar kthimi me fytyrë apo me kurriz nga Qabja, ndërkohë që është i lejuar për ndërtesat e tjera.[13]

Meruan El Asgar ka thënë: “E pashë Umerin, i cili kishte ulur devenë e tij në drejtim të kiblës dhe po urinonte nga ajo. Unë i thashë: “O babai i Abdurrahmanit! A nuk është e ndaluar kjo gjë? Ai tha:“Sigurisht që po. Një gjë e tillë është ndaluar vetëm në zonat e hapura. Nëse ka ndonjë pengesë midis teje dhe kiblës, nuk ka asgjë të keqe (nëse e kthen fytyrën apo kurrizin nga ajo)”.[14] Transmeton Ebu Daudi, Ibën Huzejme dhe Hakimi. Zinxhiri i transmetimit të tij është hasen, siç e thotë edhe Ibën Haxher në “Fet’h El-Bari”.

 

6- Personi që do të kryejë nevojat personale duhet të gjejë një vend të ulët në mënyrë që ta mbrojë veten e tij nga papastërtitë

Ebu Musa ka thënë se i Dërguari i Allahut shkoi në një vend të ulët rrëzë një muri dhe urinoi. Pastaj ai tha: “Kur ndonjëri nga ju do të urinojë, atëherë ai duhet të kujdeset që të ruhet nga urina e tij. ”[15] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Një prej transmetuesve është i panjohur por domethënia e këtij hadithi është e vërtetë.

 

7- Gjatë kryerjes së nevojave, personi në fjalë duhet të ketë kujdes që të ruhet nga vrimat që mund të ndodhen në tokë, që të mos e kafshojë ndonjë gjallesë e dëmshme

Katade ka transmetuar nga Abdullah ibën Sarxhas se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut e ka ndaluar urinimin mbi një gropë”. Katades i kanë thënë: “Pse është e ndaluar kjo?”Ai u përgjigj: “Ajo (gropa në tokë) është banesa e xhindëve”.[16] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi, Hakimi dhe Bejhakiu. Ibën Huzejme dhe Ibën Seken e klasifikojnë të vërtetë këtë hadith.

 

8- Shmangia e vendeve me hije, në të cilat qëndrojnë dhe flasin njerëzit si dhe vendeve ku ata kalojnë apo mblidhen

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ruhuni nga dy të mallkuarit”. Sahabët e pyetën: “Cilat janë ata dy të mallkuarit?” Ai u tha: “Ai që i kryen nevojat personale në rrugë (ku njerëzit kalojnë) apo në vendet me hije (ku ata rrinë).[17] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

 

9- Personi që do të kryejë nevojën, nuk duhet ta bëjë këtë gjë në

vendin ku lahet dhe as mbi ujin e ndenjur apo atë të rrjedhshëm.

Abdullah ibën Mugafel tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk duhet të urinojë në vendin ku lahet dhe pastaj aty të marrë abdes. Pjesa më e madhe e vesvesit vjen nga kjo gjë”.[18] Transmetohet nga “të pestët”, por pjesa ku thuhet... “dhe pastaj të merrni abdes në të... ” është transmetuar vetëm nga Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Xhabiri ka thënë se Profeti (a.s.) e ka ndaluar urinimin në ujin e ndenjur.[19]

Po nga Xhabiri transmetohet se Profeti (a.s.) e ka ndaluar urinimin në ujin e rrjedhshëm.[20]

Në “Mexhmu-ez-Zeuaid” thuhet: “Ky hadith (transmetimi i dytë) është transmetuar nga Tabaraniu dhe transmetuesit e tij janë njerëz të besueshëm”.

Nëse ndodhet ndonjë kanal në vendin e larjes, atëherë është i lejuar urinimi në të.

 

10- Nuk duhet urinuar në këmbë

Urinimi në këmbë bie në kundërshtim me seriozitetin dhe normat edukative, ngase është e mundur që pikat të bien mbi rroba. Nëse ky person është i sigurt se asnjë papastërti nuk do t’i ndotë rrobat, atëherë urinimi në këmbë është i lejueshëm.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Nëse ndokush ju thotë juve se i Dërguari i Allahut ka urinuar në këmbë, mos i besoni atij. Ai urinonte vetëm ulur”.[21]

Ky hadith transmetohet nga “të pestët”, përveç Ebu Daudit. Tirmidhiu e komenton këtë hadith me fjalët: “Kjo është gjëja më e mirë dhe më e saktë që lidhet me këtë çështje.”

Nuk duhet harruar se ajo çfarë ka thënë Aishja (r.a.), ka qenë e bazuar në dijen që ajo kishte.

Hudhejfe tregon se i Dërguari i Allahut u afrua njëherë tek një grumbull mbeturinash dhe urinoi, ndërkohë që ishte në këmbë. Hudhejfe u largua dhe Profeti (a.s.) e thirri atë. Ai mori abdes dhe i fshiu me dorë të lagur këpucët e tij.[22] E transmeton Grupi.

Duke bërë komente në lidhje me këtë çështje, Neveviu thotë: “Urinimi në pozicionin ulur është diçka më e pëlqyeshme për mendimin tim. Edhe urinimi në këmbë është diçka e lejueshme. Të dyja rastet vërtetohen nga praktika e të Dërguarit të Allahut”.

 

11- Personi që kryen nevojat personale duhet të pastrohet prej tyre

Për ta bërë këtë, ai duhet të përdorë gurë apo ndonjë gjë tjetër të pastër. Pastrimi bëhet me ujë ose me të dyja së bashku (me ujë dhe me gurë).[23] Aishja (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shkon për të kryer nevojat e tij personale, atëherë ai duhet të pastrohet me tre gurë dhe ata mjaftojnë”.[24] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi dhe Darakutni.  

Enesi (r.a.) thotë: “I Dërguari i Allahut hynte në vendin e kryerjes së nevojës dhe pastaj unë dhe një djalosh tjetër i përafërt me mua i sillnim një ibrik me ujë dhe ai pastrohej me të”.[25] Muttefekun alejhi.

Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) kaloi njëherë afër dy varreve dhe tha: “Ata janë duke u dënuar, por jo për ndonjë gjë të madhe (sipas tyre). Njëri prej tyre nuk mbrohej nga urina, kurse tjetri merrej me përgojime”.[26] E transmeton Grupi.

Enesi transmeton një hadith merfu ku thuhet: “Ruajeni vetveten nga urina pasi pjesa më e madhe e dënimit në varr, vjen për shkak të saj”.[27]

 

12- Gjatë kryerjes së nevojës personale, duhet evituar pastrimi me dorën e djathtë, pasi ajo duhet të largohet nga prekja e papastërtive

Abdurrahman ibën Zejd ka transmetuar se njëherë e pyetën Selmanin: “Profeti juaj ju mëson gjithçka, deri edhe edukatën e kryerjes së nevojave personale?”

Selmani u përgjigj: “Sigurisht, ai na e ka ndaluar kthimin me fytyrë nga kibla gjatë këtij veprimi, na e ka ndaluar pastrimin me dorën e djathtë dhe pastrimin e pjesëve intime me më pak se tre gurë. Ne gjithashtu nuk duhet të përdorim ndonjë objekt të papastër apo ndonjë kockë për t’u pastruar”.[28] E transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Hafsa transmeton: “Pejgamberi (a.s.) e përdorte dorën e tij të djathtë për të ngrënë, për të pirë, për të veshur rrobat si dhe për të dhënë e për të marrë. Ndërsa, dorën e majtë ai e përdorte për veprimet e tjera”.[29] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Ibën Hibani, Hakimi dhe Bejhakiu.

 

 

13- Personi që kryen nevojën, duhet të pastrojë duart e tij, në mënyrë që në to të mos mbetet ndonjë erë e keqe, pasi të jetë pastruar plotësisht

Ebu Hurejra ka thënë: “Kur Pejgamberi (a.s.) kryente nevojën, unë i çoja atij një enë (bakri ose lëkure) me ujë. Ai pastrohej dhe pastaj i fërkonte duart e tij me dhé”.[30] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Bejhakiu dhe Ibën Maxhe.

 

14- Pas kryerjes së nevojës, personi duhet të hedhë ujë në organin gjenital si dhe në mbathjet e tij, në mënyrë që të sigurohet se ai është pastruar siç duhet

Nëse pas kësaj ai dallon lagështi në rrobat e tij, atëherë duhet të mjaftohet duke thënë: “Është vetëm stërpikje me ujë”.

Një gjë e tillë bazohet në hadithin e transmetuar nga Hakem ibën Sufjan apo Sufjan ibën Hakem i cili ka thënë: “Kur Profeti (a.s.) urinonte, ai merrte abdes dhe i hidhte ujë organit gjenital”.[31]

Në një transmetim tjetër thuhet: “E pashë të Dërguarin e Allahut duke urinuar dhe pas kësaj ai hodhi ujë mbi organin e tij”.[32]

Ibën Umeri i hidhte ujë organit gjenital derisa rrobat e brendshme të tij lageshin.

 

15- Personi që hyn në banjë duhet ta bëjë këtë gjë me këmbën e majtë dhe pastaj të dalë me këmbën e djathtë duke thënë: “O Allah, kërkoj faljen Tënde!”. Aishja (r.a.) ka transmetuar se kur i Dërguari i Allahut dilte nga banja, ai thoshte lutjen e mësipërme.[33] Transmeton grupi i “të pestëve”, përveç Nesaiut.

Ajo çka transmeton Aishja është më e sakta për sa i përket kësaj çështjeje, siç thotë Ebu Hatim.

 Transmetohet nëpërmjet disa zinxhirëve të dobët, se Profeti (a.s.) thoshte:

“Falënderimi i takon Allahut, i Cili largoi nga unë papastërtitë dhe më dhuroi shëndet”.[34]

Në një hadith tjetër thuhet: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili më bëri të mundur të shijoj kënaqësinë e tij (ushqimit), bëri që të mbetet te unë dobia e tij dhe largoi nga unë dëmin e tij”.[35]

 

Search site

© 2009 Www.Mexhlisi-El-Buhari.Tk