Pjesët e Teuhidit

Pjesët e Teuhidit

 

TEUHIDI

 

Pjesët e Teuhidit


Autor: Abdurrazak el Bedr
Përktheu: Edmond Ajdini

 

Parathënie

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje! I kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e veteve tona dhe nga punët tona të këqia! Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

Vëllezër të nderuar!

Tema e këtij mësimi është: "Pjesët e Teuhidit". Ky mësim vjen si nëntitull i një vargu mësimesh të dobishme në lidhje me Teuhidin – Njësimin, tema e përgjithshme e të cilave është: "Siguria e Umetit".

Nuk ka dyshim që themeli i sigurisë së këtij umeti është Teuhidi. Allahu i Madhëruar thotë:

"Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me besim të kotë..." - Pra, nuk e përzien atë me shirk.

"... atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë të udhëzuar (në rrugë të drejtë)." {6, 82}.

Kjo ligjeratë e cila si temë kryesore ka "Pjesët e Teuhidit - Njësimit të Allahut" përfshin në vetvete një sërë pikash. Lus Allahun e Madhëruar të na e bëjë të lehtë në këtë takim sqarimin e tyre në formën më të mirë, duke i prekur të gjitha anët e rëndësishme të tyre dhe e lus Atë që ta bëjë atë çka mësojmë në këtë leksion, dije të dobishme e cila na afron për tek Allahu i Madhëruar! Ta bëjë argument për ne dhe jo kundra nesh!

 

Rëndësia e teuhidit

 

Vëllezër të nderuar!

Gjëja e parë me të cilën po e nisim këtë leksion, është një parathënie e shkurtër rreth rëndësisë së Teuhidit, për pjesët e të cilit edhe do të flasim më gjerësisht në vazhdim.

 Teuhidi është detyra më e rëndësishme, qëllimi më madhor dhe nevoja më e domosdoshme në mënyrë absolute. Ai është qëllimi i vetëm për të cilin Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat. Pra, i krijoi ata për vënien në jetë të Teuhidit (njësimit të Allahut).

Allahu nuk i krijoi krijesat për t'u shumuar me ta prej pakicës, apo që të krenohej me ta prej përuljes dhe as për t'u pasuruar me ta prej varfërisë.

I Lartësuar, i Pastër dhe i Panevojshëm për të gjitha këto është Allahu i Madhëruar.

"Dhe thuaj: “Falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk ka fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim, dhe sa i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtar, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon”. {17, 111}.

 

 

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

"Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. Vërtet që Allahu, Ai është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, më i Forti." {51, 56 - 58}.

Allahu i Madhëruar është i panevojshëm për krijesat e Tij. Ai është i panevojshëm për bindjen dhe adhurimin e tyre. Me të vërtetë i Lartmadhëruari i krijoi ata që ta njësojnë Atë, të jenë të dëgjueshëm ndaj Tij, ta adhurojnë dhe t'ia përkushtojnë fenë vetëm Atij, të Lartmadhëruarit.

E që të gjitha këto nuk i bëjnë dobi Allahut të Madhëruar, pasi Ai është i Begatshëm, i Falënderuar (nga vetvetiu). Atij nuk i bën dobi dëgjueshmëria e atij që i bindet dhe as nuk e dëmton Atë mosbindja e keqbërësit.

Të Lartmadhëruarit nuk i bën dobi njësimi (Teuhidi) i atij i cili e njëson Atë, ashtu siç edhe nuk i bën dëm mosbesimi i jobesimtarit dhe shokvënia e politeistit. Eshtë i Lartmadhëruari i Cili thotë: "Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e vet, e kush e humb (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet..." {17, 15}.

Po ashtu thotë: "... e kush nuk besoi, të keqen e mosbesimit e ka kundër vetes". {35,39}.

Pra, mosbesimi i jobesimtarit është në dëm të vetë atij, ashtu sikurse besimi i besimtarit, njësimi që ai i bën Allahut dhe bindja që tregon ndaj Tij, është në dobi të vetë atij. Ndërsa për sa i përket Allahut të Madhëruar, Ai është i panevojshëm për robërit e Tij. Eshtë i panevojshëm për bindjen e tyre, për adhurimin e tyre dhe për të gjitha ato vepra të cilat ata i bëjnë për t'u afruar tek Ai.

Teuhidi është qëllimi parësor, pasi që të gjithë profetët u dërguan që të ftonin për tek ai. Allahu i Madhëruar, për ata të cilët e zbatojnë Teuhidin dhe përpiqen për vënien në jetë të tij, përcaktoi për ta lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Pra, lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër arrihet në varësi të zbatimit dhe vënies në jetë të Teuhidit. Pak më parë përmendëm Fjalën e Allahut të Madhëruar:

"Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me besim të kotë..." - Pra, nuk e përzien njësimin e tyre me shirk. Ky është kuptimi i këtij ajeti.

 

"... atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë të udhëzuar." {6, 82}.

Atyre u takon siguria dhe udhëzimi i plotë, në dynja dhe ahiret, si shpërblim për njësimin dhe besimin e tyre ndaj Zotit të Lartmadhëruar.

Teuhidi bëhet shkak për shumë sjellje të lavdërueshme, rezultate të kënaqshme dhe dobi frytdhënëse në dynja dhe ahiret, të cilat nuk mund të përmblidhen dhe as të numërohen. Për këtë shkak, Teuhidi është mirësia më madhore dhe supreme në mënyrë absolute.

Nuk ekziston ndonjë mirësi e cila gëzon pozitë më të lartë, më madhore dhe më fisnike se Teuhidi. Për këtë arsye, suren En Nahl (Bleta), të cilën disa prej dijetarëve e emërtojnë "Surja e Mirësive" për shkak të përmendjes që Allahu i Madhëruar i bën shumë prej mirësive të Tij ndaj krijesave; i Lartmadhëruari e ka nisur këtë sure me përmendjen e mirësisë së Teuhidit.

"Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti), pra mos kërkoni ngutjen e tij! I Lavdishëm dhe i Madhëruar është Ai mbi gjithçka që ata i shoqëronë (si ortakë). Me urdhërin e Tij ia zbret engjëjt me shpirt (shpallje) atij që Ai dëshiron nga robërit e Vet (duke thënë) “T’ua tërhiqni vërejtjen se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje. Pra, të më keni frikën." {16, 1-2}.

Pas kësaj, në këtë sure vazhdohet me përmendjen e shumë prej mirësive dhe begative, madje në të i Lartmadhëruari thotë:

"Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato." {16, 18}.

Vetëm se mirësia më e madhe është padyshim ajo e cila përmendet në krye të kësaj sureje.

Teuhidi është kreu dhe hapësi i Kuranit, ashtu siç është edhe mbyllësi i tij. Pra, Kurani me Teuhid fillon dhe po me Teuhid mbaron, madje, i gjithë Kurani është ngulitës dhe rrënjosës i Teuhidit, ashtu siç ka thënë edhe dijetari i madh Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij me titull "Mederixh es selikin", thotë:

"Kurani fund e krye është ngulitës dhe rrënjosës i Teuhidit, pasi ai ose është kallëzim i cili të njeh me Allahun dhe Qënien e Tij i vetmi Zotërues, të njeh me veprat e Tij, me emrat dhe cilësitë e Tij, e ky pra është teuhidi teorik. Apo është urdhër për t'ia përkushtuar fenë vetëm Atij, për të qenë i zellshëm dhe zbatues i urdhëresave të Tij, e ky është teuhidi praktik. Apo është sqarues për atë çka Allahu i Madhëruar ka përgatitur si shpërblim për ata të cilët ia përkushtuan fenë Atij dhe ishin të zellshëm në bindje ndaj Tij, i tillë pra është shpërblimi dhe nderimi i atyre të cilët e posedojnë Teuhidin. Apo është kallëzues për ndëshkimin, qoftë ai herët a vonë, të cilin Allahu i Madhëruar e ka përgatitur për ata të cilët nuk ishin të bindur ndaj Tij, i shoqëronin shok dhe e mohonin Atë. E s'ka dyshim se i tillë është ndëshkimi i atyre të cilët nuk e zbatojnë Teuhidin. Apo në të (Kuran) ka përmendje të xhenetit dhe zjarrit, ku vihen në dukje mrekullitë e xhenetit të cilat janë shpërblimi i atyre të cilët e zbatuan Teuhidin dhe agonitë e zjarrit të cilat i përjetojnë ata të cilët e kundërshtuan atë..."

Kurani fund e krye bën thirrje për njësimin e Allahut dhe vënien në jetë të këtij Njësimi, dhe tërheq vërejtje prej të kundërtës se tij (shokvënies) e cila është në kontrast me të. Prandaj themi se është detyrë për të gjithë ne muslimanët që Teuhidit t'i kushtojmë rëndësi më tepër se çdo gjëje tjetër. Ai për ne duhet të jetë më primari i të gjitha çështjeve, dhe më kryesori ndër të gjitha preokupimet tona të rëndësishme. Për këtë arsye, thirrja e parë me të cilën profetët u drejtoheshin popujve të tyre ishte thirrja e tyre për tek njësimi i Allahut të Madhëruar...

 “Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij" {23, 32}.

Të gjithë profetët të cilët Allahu i dërgoi tek popujt e tyre, thirrjen e tyre e nisnin duke ftuar për në njësimin e Allahut të Madhëruar. Veç kësaj, kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e nisi Muadhin për në Jemen, atij i tha:

"Le të jetë e para gjë për tek e cila do t'i ftosh ata, dëshmia se “S'ka zot tjetër të vërtetë veç Allahut."

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:

"Le të jetë e para gjë për tek e cila do t'i ftosh ata; njësimi i Allahut (me adhurim)."

Teuhidi duhet të jetë pikënisja e të gjitha çështjeve dhe përfundimi i tyre, të dukshme apo të padukshme qofshin ato. Madje ai përbën themelin e lumturisë dhe sekretin e shpëtimit, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Search site

© 2009 Www.Mexhlisi-El-Buhari.Tk