ABDESI

ABDESI

 

ABDESI

Me abdes nënkuptojmë larjen e fytyrës, duarve, kokës dhe këmbëve me ujë. Më poshtë jepen hollësitë e mëtejshme:

Abdesi është pjesë e ligjit islam. Kjo vërtetohet nga tre burimet kryesore të ligjit islam:

 

(1) Kurani

 Allahu thotë në Kuran:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلاَةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ

“O ju që keni besuar! Kur çoheni për të falur namazin, lani fytyrën dhe krahët tuaj deri në bërryla dhe fërkoni kokën dhe këmbët tuaja deri tek nyjet”. (El Maide: 6)

 

(2) Suneti

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:

 “Allahu nuk e pranon namazin e atij njeriu, cili e prish abdesin e tij, derisa të marrë përsëri”.[1] Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

 

(3) Konsensusi (vendimi unanim i të gjithë dijetarëve)

Mbi ligjshmërinë e abdesit ekziston një qëndrim unanim mes muslimanëve që nga koha e Pejgamberit (a.s.) e deri në ditët tona. Me këtë hyn në kategorinë e çështjeve fetare, të cilat domosdoshmërisht janë të njohura.

 

Vlerat e abdesit

 Shumë hadithe shprehin të mirat që përfshin në vetvete abdesi. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1- Abdullah Es-Sunabihij transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur robi Allahut merr abdes dhe e lan gojën e tij, prej saj bien veprat e këqija. Kur ai e shpëlan hundën e tij, prej saj dalin mëkatet. Kur ai lan fytyrën, veprat e këqija bien prej saj, derisa dalin dhe nga nënvetullat e tij. Kur ai lan duart e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin nën thonjtë e tij. Kur ai e fërkon kokën, bien mëkatet nga koka e tij derisa dalin edhe nga veshët. Kur ai lan këmbët e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin edhe nga thonjtë e këmbëve. Pastaj e ecura për në xhami dhe namazi i tij do të jenë shpërblim shtesë për të (mbi shpërblimin e abdesit)”.[2] Transmeton Maliku, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Hakimi.

2- Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse një njeri ka cilësi të mira, atëherë Allahu i bën të gjitha veprimet e tij të mira. Nëse ky njeri merr abdes për t’u falur, Allahu për shkak të abdesit të tij i shlyen të gjitha mëkatet dhe namazi konsiderohet si shpërblim shtesë për të”.[3] Transmeton Ebu Ja’la, Bezari dhe Tabaraniu në “El Ausat”.

3- Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “A doni t’ju tregoj për një vepër, me anë të së cilës Allahu ua fshin mëkatet dhe ua rrit gradat tuaja? Ata thanë: Sigurisht o i Dërguar i Allahut! Ai tha: “Përsosja e abdesit edhe në kushte të vështira, ecja e gjatë për në xhami dhe pritja e namazit (tjetër) pas kryerjes së namazit të mëparshëm. Ky është ribati[4]”.[5] Hadithi transmetohet nga Maliku, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

4- Ebu Hurejra transmeton gjithashtu se i Dërguari i Allahut kaloi njëherë afër një varri dhe tha:Paqja qoftë mbi ju, o shtëpi e besimtarëve! Në dashtë Allahu ne do t’ju takojmë së shpejti, megjithëse do të kisha dashur të shikoja vëllezërit e mi”. Shokët e pyetën: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që nuk kanë ardhur ende”. Ata e pyetën: “Si i njeh ata që nuk kanë ardhur ende nga ymeti yt o i Dërguar i Allahut? Ai tha: “Nëse një njeri ka një tufë me kuaj me balluke të bardha në mes të një tufe tjetër me balluke të zeza, a do të jetë në gjendje ai t’i dallojë kuajtë e tij? Ata u përgjigjën: Sigurisht, o i Dërguar i Allahut!”. Atëherë ai tha: “Ata (vëllezërit e mi) do të vijnë me shenja dalluese nga abdesi i tyre dhe unë do t’u paraprij atyre në burimin tim. Por do të jetë një grup njerëzish, të cilët do të rrinë larg nga burimi im ashtu sikurse rri deveja e humbur. Unë do t’i thërras ata që të afrohen. Do të thuhet: “Këta i ndryshuan çështjet pas teje”. Atëherë unë do të them: “Rrini larg, rrini larg!”[6]. E transmeton Muslimi.

 

Veprimet e detyrueshme (Farzet) të abdesit

Abdesi përbëhet nga disa veprime të detyrueshme (farze), nga plotësimi i të cilave varet vlefshmëria e tij. Nëse mungon njëra prej këtyre detyrimeve të parapara të sheriatit islam, abdesi nuk konsiderohet i vlefshëm. Ato janë:

 

1- Qëllimi (Nijeti)

Ky ka të bëjë me dëshirën për ta kryer veprimin me synimin e kënaqjes së Allahut me anë të zbatimit të urdhërit të Tij. Qëllimi (nijeti) është një veprim që rrjedh krejtësisht nga zemra, pasi gjuha (shqiptimi me fjalë) nuk ka të bëjë aspak me të. Shqiptimi i tij nuk është i ligjshëm në bazë të argumenteve nga Kurani dhe Suneti. Hadithi i mëposhtëm vërteton faktin se qëllimi është obligim:

Omeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit (që qëndron pas tyre) dhe çdokush do ta marrë atë që ka synuar”.[7] E transmeton “Grupi”.

 

2- Larja e fytyrës

Ky veprim përfshin larjen e fytyrës një herë nga pjesa e sipërme e ballit deri në pjesën e poshtme të nofullës, si dhe nga njëri vesh tek tjetri.

 

3- Larja e krahëve deri tek bërrylat

Bërrylat duhet të lahen, pasi Profeti (a.s.) e ka bërë një gjë të tillë, pra larjen e krahëve deri në bërryla. Edhe dy nyjat e bërrylave janë pjesë që duhet të lahen, ngase nuk transmetohet se ai nuk i ka larë.

 

4- Fshirja e kokës (mes’hi)[8]

Kjo nënkupton fshirjen e kokës me dorë të lagur. Nuk është e mjaftueshme vetëm vendosja e dorës në kokë apo prekja e saj me gishta të lagur. Kuptimi i fjalëve kuranore, “...dhe fshini kokat tuaja...”, nuk do të thotë se e gjithë koka duhet të fshihet. Por nga ajeti kuranor kuptohet se, nëse një pjesë e kokës fshihet, kjo mjafton për t’u kryer detyrimi. Është transmetuar se Profeti e fshinte kokën e tij, në tre mënyra të ndryshme:

a- Fshirja e gjithë kokës

 Abdullah ibën Zejdi transmeton se Profeti (a.s.) e fshinte të gjithë kokën me duart e tij të lagura. Ai fillonte me pjesën e përparme të kokës, pastaj me të pasmen dhe pastaj i kthente përsëri duart e tij tek pjesa e përparme ku filloi.[9] E transmeton “Grupi”.

b- Fshirja vetëm e pjesës së çallmës

Amër ibën Umeje ka thënë: “E pashë të Dërguarin e Allahut duke e fshirë çallmën dhe këpucët”.[10]

Bilali transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Fshini këpucët dhe mbulesën e kokës tuaj”.[11] E transmeton Ahmedi.

Ndërsa Umeri (r.a.) ka thënë: “Atë që nuk e pastron mes’hi mbi çallmë mos e pastroftë Allahu!”.[12]

Shumë hadithe janë transmetuar në lidhje me këtë çështje nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerët. Shumica e dijetarëve bien dakord për fshirjen e pjesës së çallmës.

c- Mes’hi mbi pjesën e përparme të kokës dhe të çallmës.

Mugire ibën Shu’be ka thënë se i Dërguari i Allahut mori abdes, dha mes’h mbi pjesën e ballukes (lëkurës së kokës), çallmës dhe çorapeve të tij.[13]

 

5- Larja e këmbëve, e thembrave dhe zogu i këmbës

 Një gjë e tillë është konfirmuar në mënyrë të vazhdueshme në transmetimet në lidhje me veprimet e bëra nga Profeti (a.s.).

Ibn Umeri ka thënë: “Në një nga udhëtimet tona, Profeti (a.s.) mbeti pas nesh. Ne e vonuam namazin e iqindisë dhe më pas ai na arriti. Ne filluam të merrnim abdes dhe po merrnim mes’h mbi këmbët tona, kur Profeti (a.s.) thirri me zë të lartë: “Mjerë thembrat nga zjarri i xhehnemit (duke e përsëritur këtë gjë dy apo tre herë)”.[14] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Abdurrahman ibën Ebi Lejla thotë: “Shokët e Pejgamberit (a.s.) janë të një mendimi përsa i përket domosdoshmërisë së larjes së thembrave”.

 

Sigurisht që detyrimet që u përmendën më lart janë ato të cilat Allahu i ka përmendur në Kuran:

“O ju që keni besuar! Kur çoheni për të falur namazin, lani fytyrën dhe krahët tuaj deri në bërryla dhe fërkoni kokën dhe këmbët deri tek nyjet”. (El Maide, 6)

 

6-Larja e këtyre pjesëve sipas renditjes së mësipërme

Renditja e larjes së këtyre pjesëve duhet bërë sipas radhës së cekur më lart, pasi Allahu ka përmendur në ajetin e Kuranit detyrimet (farzet) e renditura të abdesit, duke ndarë larjen e këmbëve nga e duarve (edhe pse të dyja duhen larë) dhe ka përmendur kokën në mënyrë të veçantë, e cila duhet të fshihet duke i dhënë mes’h. Arabët në shprehje nuk bëjnë shkëputje në mes dy ekuivalentëve, pa ndonjë qëllim të caktuar e ai në këtë rast është renditja. Nuk ka dyshim se qëllimi i ajetit është sqarimi i detyrimit të domosdoshëm. Një dispozitë e tillë fuqizohet edhe me domethënien e përgjithshme të hadithit të vërtetë të Pejgamberit (a.s.): “Filloni me atë që ka filluar Allahu”.[15] [Hadith i saktë, ndërsa teksti në formën urdhërore, “Filloni” është Shadh[16]]  

Një renditje të tillë e ka qartësuar në vepër edhe suneti praktik. Nuk dihet që Profeti (a.s.) të ketë marrë abdes pa respektuar renditjen.[17] Abdesi është adhurim dhe në këto raste urdhëri ka të bëjë me kërkesën për përfilljen e dispozitës. Askujt nuk i takon që të kundërshtojë atë që është transmetuar nga Pejgamberi (a.s.) për mënyrën e marrjes së abdesit dhe çështje të ngjashme.

 

Veprimet sunet të abdesit

Sunetet janë ato fjalë apo vepra që vërtetohet se janë nga Profeti (a.s.), por nuk është kusht që t’i përmbahemi vazhdimisht dhe nuk duhet qortuar ai që nuk i kryen ato.[18] Ato janë si më poshtë:

1- Përmendja e emrit të Allahut në fillim të abdesit

Në fillim themi “Bismilahi Rrahmani Rrahim”. Në lidhje me këtë transmetohen disa hadithe të dobëta, të cilat kur tubohen së bashku e shtojnë besueshmërinë e tyre. Vetvetiu përmendja e emrit të Allahut në fillim është një çështje e mirë dhe përgjithësisht llogaritet e ligjshme.

 

2- Pastrimi i dhëmbëve me misvak[19]

Kjo nënkupton përdorimin e një druri apo një objekti të ngjashëm me të, për pastrimin e dhëmbëve. Lloji më i mirë për t’u përdorur është ai i drurit erak që rritet në Hixhaz. Një praktikë e tillë i forcon mishrat e dhëmbëve, i parandalon sëmundjet e tyre, ndihmon tretjen dhe lehtëson urinimin. Ky sunet përmbushet edhe duke përdorur një objekt, i cili i heq njollat e verdha nga dhëmbët dhe e pastron gojën (si furça e dhëmbëve etj).

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse nuk do t’ia vështirësoja umetit tim, atëherë do t’i kisha urdhëruar të përdornin misvakun sa herë që marrin abdes”.[20] E transmeton Maliku, Shafiu, Bejhakiu dhe El Hakim.

Aishja (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Misvaku e pastron gojën dhe e kënaq Allahun”.[21] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu.

Përdorimi i misvakut (Në mungesë të misvakut, tek ne përdoret furça e dhëmbëve si zëvendësuese e tij –Shënim i redaktorit) pëlqehet në çdo kohë, por në mënyrë të veçantë në pesë raste:

(1) Para abdesit

(2) Para namazit

(3) Para leximit të Kuranit

(4) Pas zgjimit nga gjumi

(5) Kur goja mban erë të keqe

Si agjëruesit ashtu edhe ata që nuk agjërojnë mund ta përdorin këtë objekt në fillim, në fund ose në çdo kohë tjetër gjatë ditës. Amër ibën Rabie ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut në shumë raste, duke përdorur misvakun, ndërkohë që ai agjëronte”.[22] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Kur përdoret misvaku (apo furça e dhëmbëve), është sunet larja e tij më pas. Aishja (r.a.) tregon: “Kur Profeti (a.s.) e përdorte misvakun e tij, ma jepte mua e unë e laja. Pasi e përdorja e laja përsëri dhe ia ktheja atij”.[23] Transmeton Ebu Daudi dhe Bejhakiu.

 Është pjesë e sunetit se për atë që nuk ka dhëmbë mund të përdorë gishtat e tij për pastrimin e gojës. Aishja (r.a.) ka pyetur: “O i Dërguar i Allahut! A duhet ta pastrojë gojën e tij ai që nuk ka dhëmbë?” Profeti (a.s.) tha: “Po”. Unë i thashë: “E si vepron ai?” Ai është përgjigjur: “Duke futur gishtat në gojën e tij”.[24] E transmeton Taberani.

 

3- Larja e duarve tre herë në fillim

 Një gjë e tillë bazohet në hadithin e Aus ibën Aus El Thekafiut, i cili ka thënë:

“E pashë të Dërguarin e Allahut që po merrte abdes dhe ai i lau duart e tij tre herë”.[25] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, nuk duhet të fusë duart e tij në enë përpara se t’i ketë larë ato tre herë, pasi ai nuk e di se ku ka rënë dora e tij (gjatë kohës së gjumit)”.[26] Transmeton “Grupi”, ndërsa Buhariu nuk e ka përmendur numrin e herëve.

 

4- Shpëlarja e gojës tre herë

Lakit ibën Sabra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur të marrësh abdes, shpëlaje gojën!”[27] Transmeton Ebu Daudi dhe Bejhakiu.

 

5- Larja e hundës (tre herë)

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush merr abdes, ai duhet të thithë ujin nga vrimat e hundës së tij dhe pastaj ta shfryjë atë”.[28] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Po ashtu, është sunet futja e ujit në vrimat e hundës me dorën e djathtë dhe shfryrja e tij me të majtën. Një herë Aliu (r.a.) kërkoi ujë për të marrë abdes, e shpëlau gojën e tij, futi ujë në vrimat e hundës dhe pastaj e shfryu atë me dorën e majtë. Ai e bëri këtë gjë tre herë rresht dhe pastaj tha: “Në këtë mënyrë pastrohej Profeti (a.s.)”.[29] E transmeton Ahmedi dhe Nesai.

Ky sunet përmbushet duke futur ujë në gojë dhe në hundë njëherësh. Praktika e Profetit ishte kryerja e të dyja veprimeve në të njëjtën kohë. Abdullah ibën Zejdi ka thënë: “Profeti (a.s.) e shpëlante gojën dhe hundën e tij me njërën dorë (te dyja në të njëjtën kohë). Ai e bënte këtë gjë tre herë radhazi”.[30] Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai e shpëlante gojën dhe hundën e tij me tre grushta ujë”.[31]

Gjithashtu, prej sunetit është dhe përdorimi i ujit të bollshëm duke e tërhequr thellë, përveçse në rastet kur personi që merr abdes është agjërueshëm. Njëherë Lakiti e pyeti Profetin (a.s.): “Më trego se si e merr abdesin”. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Plotësoje e përsose abdesin dhe hidh ujë mes gishtërinjve të tu. Përdor shumë ujë kur pastron hundën, përveç në rastet kur je duke agjëruar”.[32] Transmetojnë “të pestët”. Tirmidhiu e ka vlerësuar këtë hadith si të vërtetë.

 

6- Kalimi i gishtërinjve nëpër mjekër

Othmani (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut e krehte mjekrën me gishtërinjtë e tij.[33] Transmeton Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar atë si hadith të vërtetë.

Enesi (r.a.) ka thënë se kur i Dërguari i Allahut merrte abdes, ai merrte një grusht ujë, e hidhte atë poshtë nofullës dhe e kalonte nëpër mjekrën e tij. Për këtë ai thoshte: Kështu më ka urdhëruar Zoti im i Lartmadhëruar”.[34] Transmeton Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi.

 

7- Kalimi i ujit përmes gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve

Ibn Abasi ka thënë se kur i Dërguari i Allahut merrte abdes, ai e lante pjesën mes gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve të tij.[35] Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.

Transmeton Mustevrid ibën Shedad dhe thotë: “E kam parë Pejgamberin (a.s.) duke larë gishtat e këmbëve me gishtin e tij të vogël”[36] Transmetojnë “të pestët”, përveç Ahmedit.

Transmetohet gjithashtu se është e preferueshme lëvizja e stolive (e unazave, byzylykëve etj) gjatë marrjes së abdesit. Edhe pse këto hadithe nuk kanë arritur shkallën e atyre autentike, muslimani duhet t’i zbatojë ato, sepse hyjnë në kategorinë e përgjithshme të plotësimit dhe të përsosjes së abdesit.

 

8- Përsëritja tre herë radhazi e secilës prej larjeve

Një veprim i tillë është sunet, të cilin Profeti (a.s.) e kryente pothuajse gjithmonë. Nëse transmetohet ndryshe, e bënte vetëm për të treguar se edhe veprimet e tjera janë të lejuara.

Amr ibën Shuajbi ka transmetuar nga babai i tij e ai nga gjyshi i tij, se ky i fundit ka thënë:

“Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe e pyeti atë në lidhje me abdesin. Profeti (a.s.) i tregoi atij se si ta lante secilën prej pjesëve të trupit nga tre herë dhe i tha: “Ky është abdesi. Kushdo që bën më shumë se kjo, ka vepruar gabim, ka kaluar kufijtë dhe e ka dëmtuar veten”.[37] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Othmani (r.a.) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut e përsëriste secilën prej larjeve nga tre herë.[38] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu.

Ka edhe transmetime të tjera që tregojnë se ai e kryente secilën prej larjeve vetëm një herë[39] apo dy herë[40]. Sipas shumicës së transmetimeve, Profeti (a.s.) i binte mes’h kokës së tij vetëm një herë.

 

9- Fillimi i çdo veprimi me anën e djathtë

Aishja (r.a.) tregon: “I Dërguari i Allahut pëlqente fillimin me të djathtën kur vishte këpucët, kur krehte flokët, kur pastrohej dhe në të gjitha çështjet e tij”.[41] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur visheni apo merrni abdes, filloni me anën tuaj të djathtë”.[42] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

 

10- Larja e gjymtyrëve me ujë

Një gjë e tillë nënkupton fërkimin e gjymtyrëve me ujë ose pasi t’i hidhet ujë. Abdullah Ibën Zejdi transmeton se i çuan njëherë të Dërguarit të Allahut një enë me pak ujë, të cilën ai e përdori për të marrë abdes dhe fërkoi krahët me të.[43] E transmeton Ibën Huzejme.

Ai thotë gjithashtu se i Dërguari i Allahut mori abdes dhe pastaj i fërkoi krahët e tij.[44] Transmeton Ebu Daud Et-Tajalisi, Ahmedi, Ibën Hibani dhe Ebu Ja’la.

 

11- Larja e gjymtyrëve të trupit njëra pas tjetrës pa ndërprerje

Secila prej pjesëve të trupit duhet të lahet sipas radhës dhe njëra pas tjetrës. Kjo nënkupton që ai që merr abdes të mos e ndërpresë atë për shkak të ndonjë veprimi të jashtëm e që zakonisht mund të llogaritet largim prej tij. Kjo është praktika e Sunetit dhe kështu kanë vepruar gjeneratat e para dhe të fundit të muslimanëve.

 

12- Fshirja e veshëve

Sunet është fërkimi i pjesës së brendshme të veshëve me gishtërinjtë tregues dhe i pjesës së jashtme me gishtërinjtë e mëdhenj të duarve. Uji i përdorur për mes’hin e kokës përdoret gjithashtu edhe për veshët, pasi veshët janë pjesë e kokës. El Mikdam ibën Madikerib transmeton se Profeti (a.s.), kur merrte abdes, e fërkonte kokën dhe veshët nga brenda dhe jashtë. Ai gjithashtu i vendoste gishtat e tij në pjesën e brendshme të veshit.[45] Transmeton Ebu Daudi dhe Et-Tahaui.

Duke përshkruar mënyrën se si merrte abdes i Dërguari i Allahut, Ibën Abasi ka thënë se ai e fërkonte kokën dhe veshët e tij përnjëherë.[46] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai e fërkonte kokën dhe veshët me dy gishtat e tij tregues dhe pjesën e jashtme me dy gishtat e mëdhenj”.

 

13- Zgjerimi i abdesit

Kjo ka të bëjë me larjen e pjesës së përparme të kokës, praktikë që përbën diçka më tepër nga çfarë është e detyruar në larjen e fytyrës dhe që do t’i forcojë rrezet e dritës së besimtarit në Ditën e Gjykimit. Ajo i referohet larjes së pjesës mbi bërrylat dhe nyjeve të këmbës.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ditën e Gjykimit umeti im do të shkëlqejë me rrezet e dritës nga gjurmët e abdesit”. Pastaj, Ebu Hurejra (r.a.) vazhdon: “Nëse ndonjëri prej jush mundet t’i forcojë rrezet e dritës, atëherë le ta bëjë këtë gjë”.[47]

Ebu Zur’ate thotë se ebu Hurejra (r.a.) kërkoi ujë që të merrte abdes, ai i lau krahët deri mbi bërryla dhe këmbët deri mbi pulpa. Unë i thashë: “Ç’është kjo?” Ai u përgjigj: “Ky është forcimi i zbukurimit në ditën e shpërblimit”.[48] E transmeton Ahmedi. Sipas Buhariut dhe Muslimit, zinxhiri i këtij hadithi është sahih.

 

14- Përdorimi e ujit me kursim, edhe në rast të ndodhjes përballë detit

Enesi (r.a.) tregon: “Profeti merrte gusël (bënte larjen e plotë) me një sa’a ujë (1616 cm3 ) prej 5 madësh (4 mad = 1sa’a). Ai gjithashtu merrte abdes me një mud (404 cm3 ) ujë”.[49] Muttefekun alejhi.

Ubejdullah ibën Ebu Jezidi ka thënë se njëherë një burrë e pyeti Ibën Abasin: “Sa është sasia e ujit të mjaftueshëm për marrjen e abdesit?”Ai tha: “Një mud”. Burri vazhdoi: “Sa ujë është i mjaftueshëm për guslin?” Ai u përgjigj: “Një sa’a”. Burri i tha: “Aq nuk mjafton për mua”. Ibën Abasi i tha: “Me të vertetë?! Një masë e tillë ishte e mjaftueshme për një më të mirë se ti, për të Dërguarin e Allahut”.[50] Transmeton Ahmedi, Bezari dhe Tabaraniu në “El Kebir”. Transmetuesit e këtij hadithi janë njerëz të besueshëm.

Abdullah ibën Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut kaloi njëherë afër Sa’dit, ndërkohë që ky i fundit po merrte abdes dhe i tha: “Ç’është gjithë ky shpezim i tepërt i ujit o Sa’d?” Sa’di i tha: “A ka teprim në përdorimin e ujit?” Profeti iu përgjigj: “Po, edhe nëse je afër një lumi të rrjedhshëm”.[51] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe. Në zinxhirin e tij ka dobësi.

Shpenzimi i tepërt i ujit nënkupton përdorimin e ujit pa ndonjë dobi të ligjshme, si p.sh. larjen e pjesëve të trupit më shumë se tre herë.

Hadithi i Ibën Shuajbit, i cituar më sipër, e ilustron çështjen në fjalë. Abdullah ibën Mugafel transmeton se e ka dëgjuar Profetin (a.s.) të ketë thënë: “Do të ketë njerëz nga umeti im, që do ta teprojnë në lutje dhe në pastrim”[52]

Buhariu shprehet: “Dijetarët e quajnë mekruh (të urryer) përdorimin e ujit përtej kufijve të përcaktuar nga Profeti gjatë marrjes së abdesit”.

 

15- Duája (lutja) gjatë marrjes së abdesit

Nuk ka ndonjë argument të përforcuar nga Profeti (a.s.) në lidhje me lutjet gjatë marrjes së abdesit, me përjashtim të një hadithi të Ebu Musa El Eshariut, i cili ka thënë: “Unë shkova tek i Dërguari i Allahut me ujë. Ndërkohë që merrte abdes unë e dëgjova atë duke thënë: “O Allah, m’i fal mëkatet e mia! Bëje shtëpinë të gjerë për mua dhe më beko me furnizime!”. Unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Të dëgjova duke u lutur kështu e kështu”. Ai tha: “A mos lashë ndonjë gjë pa përmendur?”[53] Transmeton Nesaiu dhe Ibën Es-Suni me zinxhir të vërtetë transmetimi, por Nesaiu e përfshin këtë hadith në kapitullin “Çfarë duhet thënë pas marrjes së abdesit” dhe Ibën Es-Suni tek “Çfarë duhet thënë gjatë marrjes së abdesit”. Po ashtu, Neveviu thotë se në këtë hadith mund të përfshihen të dyja kuptimet. [54]

 

16- Duája pas abdesit

Omeri (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: Nëse ndonjëri prej jush merr abdes dha pastaj thotë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Një, i Vetëm e i pa shok dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij”, do të hapen për të tetë dyert e xhenetit dhe ai mund të hyjë në të nga cila derë të dëshirojë”.[55]

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Kushdo që merr abdes dhe më pas thotë: “I Lartësuar je Ti O Zoti im, Ty të takon falënderimi! Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Teje, kërkoj falje nga Ti dhe tek Ti pendohem!”, do ta ketë të shkruar në librin e tij dhe të vendosur në një pllakë e cila nuk do të thyhet deri në Ditën e Gjykimit”.[56] Ky hadith është transmetuar nga Tabaraniu në “El Eusat” dhe Nesaiu në “Veprat e ditës dhe të natës”. Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm. Nesaiu e transmeton me këto fjalë: “Ajo do të vuloset me një vulë, e vendosur nën Fron dhe nuk do të prishet deri në Ditën e Gjykimit”. Vlerësimi i saktë i këtij hadithi është se ai është meukuf dhe kjo sipas Nesaiut.

Përsa i përket lutjes: “O Zoti im, më bëj mua prej atyre që pendohen dhe prej atyre që pastrohen!”[57], këtë e transmeton Tirmidhiu dhe thotë se: “Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është mudterib dhe nuk ka asgjë autentike në lidhje me të (lutjen) e që vlen të merret parasysh”. [Hadith Sahih]

 

17- Falja e dy rekateve namaz pas marrjes së abdesit

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut i ka thënë Bilalit:

“O Bilal më trego se cila punë të jep më shumë shpresë nga ato që ke

bërë gjatë kohës tënde në Islam! Vërtet, unë e dëgjoj zhurmën e këpucëve të tua në xhenet”. Bilali iu përgjigj: “Puna të cilën e kam bërë dhe prej së cilës shpresoj shpërblimin më të madh, është se pasi marr abdes në çfarëdo kohe, unë fal me atë abdes atë çka Allahu ka dashur për mua të fal”.[58] Muttefekunj alejhi.

Ukbe ibën Amir transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush merr abdes dhe më pas fal dy rekate namaz me zemrën dhe fytyrën e tij (të përqendruar në namaz), atëherë ai ka për të hyrë patjetër në xhenet”.[59] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Ibën Huzejme në Sahihun e tij.

Humrani, ndihmësi i Othmanit, shton se kishte parë Othmanin të kërkonte ujë për abdes, ta derdhte atë në dorën e djathtë dhe ta lante atë (dorën) tre herë. Pastaj ai kishte vendosur dorën e tij të djathtë në enën e ujit, e kishte shpëlarë gojën dhe hundën e tij dhe e kishte shfryrë ujin jashtë. Pastaj kishte larë fytyrën tre herë dhe pastaj krahët deri mbi bërryla. Më pas kishte larë këmbët tre herë dhe në fund kishte thënë: “E pashë të Dërguarin e Allahut të merrte abdes në këtë mënyrë”. Pastaj Profeti (a.s.) kishte thënë: “Kushdo që merr abdes në këtë mënyrë dhe pastaj fal dy rekate namaz, pa u shqetësuar me gjë tjetër në mendjen e tij, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”.[60] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Praktikat e tjera (mbrojtja e syve, lëvizja e unazave, fërkimi i qafës etj.) nuk janë përmendur këtu, pasi hadithet rreth tyre ende nuk e kanë arritur shkallën e saktësisë. Por, personi që merr abdes mund t’i zbatojë ato, si pjesë të pastërtisë së përgjithshme.

 

 

Veprimet që e prishin abdesin

 

Nuk është diçka e mirë që personi që merr abdes të lërë ndonjërën prej suneteve që u përmendën më sipër. Në rast të kundërt, ai do ta humbë shpërblimin e madh të këtyre veprimeve (të thjeshta). Ai që braktis ato sunete, bën një vepër të papëlqyeshme. Veprimet e mëposhtme e bëjnë abdesin të pavlefshëm:

 

1- Çdo gjë që del nëpërmjet organeve gjenitale

Kjo përfshin në vetvete urinën, lëndët e jashtëqitjes dhe nxjerrjen e gazrave.

(Allahu thotë: “... ose pas kryerjes së nevojave vetjake”, duke vërtetuar kështu se një veprim i tillë obligon një pastrim të ri).

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e një njeriu i cili ka lëshuar gazra, derisa ai ta përsërisë abdesin”.

Një burrë nga Hadrameuti[61] e pyeti Ebu Hurejrën: “Çfarë do të thotë të nxjerrësh gazra?” Ai u përgjigj: “Erë me apo pa zhurmë”.[62] Muttefekun alejhi.

Ai gjithashtu ka treguar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ka shqetësime nga barku dhe nuk është i sigurt nëse ka nxjerrë gazra apo jo, ai kurrsesi nuk duhet ta lërë xhaminë derisa të dëgjojë zë apo të nuhasë erën”.[63] Transmeton Muslimi.

Të dëgjuarit e nxjerrjes së gazrave apo nuhatja e erës së tyre nuk është kusht për pavlefshmërinë e abdesit, por Profeti (a.s.) ka theksuar se muslimani duhet të jetë i sigurt për veprimin. Përsa i përket medhi-ut (lëngut prostatik), Profeti (a.s.) ka thënë: “Merrni abdes!”. Kurse në lidhje me spermën, Ibën Abasi ka thënë se duhet të merret gusël, ndërsa për medhi-un dhe uedi-un, ai ka thënë se duhen larë organet seksuale dhe të merret abdes, ashtu siç merret abdes për namaz”.[64]

 

2- Gjumi i thellë që e bën njeriun të pavetëdijshëm në lidhje me gjërat që e rrethojnë, nëse nuk ëndërron duke qëndruar ulur

Safuan ibën Aseal ka thënë: “Kur udhëtonim, Profeti (a.s.) na urdhëronte që të mos i hiqnim çorapet, veç në rastet kur ishim xhunub dhe jo për jashtëqitje, urinim apo gjumë.”[65] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar këtë hadith si të vërtetë.

Nëse ai që flinte qëndronte ulur, abdesi i tij nuk prishej. Lidhur me këtë Enesi (r.a.) ka thënë: “Shokët e Profetit (a.s.) prisnin për namazin e jacisë derisa kokat e tyre fillonin të vareshin poshtë e lart (nga gjumi). Pastaj ata faleshin pa marrë përsëri abdes.”[66] Transmeton Shafiu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Versioni që Tirmidhiu ka transmetuar nga Shu’be është:

“I kam parë shokët e Profetit (a.s.) të zgjoheshin për namaz pasi t’i dëgjoje duke gërhitur. Ata ngriheshin për të falur namazin, pa marrë përsëri abdes”.

Ibn El Mubarek ka thënë: “Sipas mendimit tonë (të dijetarëve), kjo gjë ndodhte kur ata ishin ulur”.

 

3- Humbja e vetëdijes

Një veprim i tillë e bën abdesin të pavlefshëm, pavarësisht nëse vjen nga çmenduria, vilania, dehja apo nga ndonjë ilaç i caktuar. Gjithashtu, nuk ka rëndësi nëse një person ka qenë i pavetëdijshëm për një periudhë të shkurtër apo të gjatë kohore, apo nëse ai është i ulur apo i shtrirë në tokë etj. Pavetëdija është më e rëndë se gjumi. Dijetarët kanë rënë dakord në lidhje me këtë pikë.

 

4- Prekja e organit seksual pa ndonjë pengesë (siç janë rrobat etj.) mes dorës dhe organit

Busra bint Safuani tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që prek organin e tij seksual, nuk mund të falet derisa të marrë abdes”.[67]

Ky hadith transmetohet nga “të pestët”. Tirmidhiu e ka klasifikuar atë si sahih dhe Buhariu e ka quajtur transmetimin më autentik përsa i përket kësaj çështjeje. Gjithashtu, këtë hadith e transmetojnë edhe Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe të tjerët.

Ebu Daudi ka thënë: “E pyeta Ahmedin: “A është i vërtet hadithi i Busras”? Ai m’u përgjigj: “Sigurisht që po!”.

Në transmetimin e Ahmedit dhe të Nesaiut, Busra ka dëgjuar Profetin (a.s.) duke thënë: “Abdesi merret kur dikush prek organin e tij seksual”.[68]

Kjo është diçka e përgjithshme dhe përfshin si prekjen e organit seksual personal ashtu edhe atë të dikujt tjetër.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që prek organin seksual pa ndonjë mbulesë, duhet të marrë abdes”.[69] Transmeton Ahmedi, Ibën Hibani dhe Hakimi, të cilët e kanë klasifikuar atë si sahih, ashtu sikurse edhe Ibën Abdul Berri.

 Ibën Sakini ka thënë: “Ky hadith është nga më të mirët e transmetuar për këtë çështje”. Kurse Shafiu ka transmetuar: “Çdokush që prek organin e tij pa mbulesë duhet të marrë abdes”. Trasmeton Amër ibën Shuajb nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij: “Çdo burrë që prek organin e vet seksual, le të marrë abdes!”[70].

Duke komentuar në lidhje me autenticitetin e këtij hadithi, Ibën Kajimi përmend El Hazimin, i cili thotë: “Zinxhiri i tij është sahih”.

Duke u bazuar në hadithin e mëposhtëm, hanefitë janë të mendimit se prekja e organit seksual nuk e prish abdesin: “Një burrë e pyeti Profetin (a.s.), nëse duhet të marrë abdes një njeri i cili prek organin e tij seksual. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Jo, ai është vetëm një pjesë e jotja”.[71] Transmetojnë “të pestët”. Ibën Hibani e ka klasifikuar këtë hadith si sahih, ndërsa Ibën El Medini ka thënë: “Është më i mirë se hadithi i transmetuar nga Busra”.

 

 

Veprime që nuk e prishin abdesin

 

1- Prekja e gruas

Aishja (r.a.) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut e ka puthur atë, ndërkohë që ai po agjëronte dhe ka thënë: “Puthja nuk e prish abdesin dhe as agjërimin”.[72] Transmeton Is’hak ibën Rahuje dhe Bezari me zinxhir të mirë.

Duke e vlerësuar shkallën e vërtetësisë e këtij hadithi, Abdul Haku thotë: “Nuk shoh ndonjë defekt që mund të çojë në hedhjen poshtë të tij”.

Gjithashtu, Aishja (r.a.) ka thënë: “Një natë nuk e kisha në krevat të Dërguarin e Allahut dhe kështu shkova për ta kërkuar. Vendosa dorën time në pjesën e pasme të këmbëve të tij, ndërkohë që ai po falej dhe po thoshte: “O Allah! Kërkoj strehë në kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, në faljen Tënde nga dënimi Yt. Nga Ti kërkoj mbrojtjen Tënde. Unë nuk mund të përfshij falënderimin ndaj Teje. Ti je ashtu siç e ke lartësuar Veten Tënde”.[73] Transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar këtë hadith si të vërtetë.

Aishja (r.a.) tregon: “Profeti i puthte disa nga gratë e tij dhe pastaj shkonte për namaz, pa marrë abdes”[74] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe. Treguesit e këtij hadithi janë njerëz të besueshëm.

Aishja (r.a.) ka transmetuar gjithashtu: Unë flija përballë Profetit, me këmbët e mia në drejtim të Kiblës (për të). Kur ai binte në sexhde, më prekte dhe unë i lëvizja këmbët”.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur donte të binte në sexhde, ai prekte këmbët e mia”.

 

2- Rrjedhja e gjakut nga një vend i pazakonshëm

Kjo përfshin rrjedhjet që mund të shkaktohen nga plagët, nga lëshimi i gjakut (el-hixhametu) apo edhe rrjedhja e gjakut nga hundët, pavarësisht nëse sasia e gjakut është e vogël apo e madhe.

El Hasani ka thënë: “Muslimanët faleshin edhe pse ishin të plagosur”. E transmeton Buhariu.[75]

Ai transmeton gjithashtu se Ibën Umeri e shtrydhte puçrrën, derisa ajo të rridhte, por nuk merrte përsëri abdes për këtë.

Ibën Ebi Eufa pështynte gjak dhe vazhdonte namazin e tij. Umer ibën El Hatabi falej, ndërkohë që plaga e tij rridhte gjak.[76] Transmeton Ebu Daudi, Ibën Huzejme dhe Buhariu në formën mua’lak.[77]

Abad ibën Bishr u qëllua me një shigjetë kur po falej, por përsëri ai e vazhdoi namazin e tij.[78]

 

3- Të vjellat

Pavarësisht nëse sasia e të vjellave është e vogël apo e madhe, nuk ka ndonjë hadith të fortë që vërteton se ato e bëjnë abdesin të pavlefshëm.

 

4- Ngrënia e mishit të devesë

Mendimi se një mish i tillë nuk e prish abdesin ishte i katër kalifëve, i shokëve të Profetit (a.s.) si dhe i gjeneratës së mëvonshme, edhe pse ekziston një hadith autentik sipas të cilit, personi që ha mishin e devesë duhet të marrë abdes.

Xhabir ibën Semure ka thënë: “Një burrë e pyeti Profetin (a.s.): “A duhet të marrim abdes pas ngrënies së mishit të deles?” Ai iu përgjigj: “Nëse dëshiron merr por nëse jo, atëherë mos e bëj këtë gjë”. Atëherë burri e pyeti: “Po pas ngrënies së mishit të devesë?” Profeti (a.s.) i tha: “Po!”.[79]

El Bara ibën Azib ka transmetuar se dikush e pyeti Profetin (a.s.) në lidhje me faljen e namazit në vendin ku rrinë devetë. Profeti (a.s.) tha: Mos u falni aty, pasi ato janë (vende) të shejtanit”. Burri e pyeti përsëri për faljen në vendqëndrimin e deleve dhe Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Falun

Search site

© 2009 Www.Mexhlisi-El-Buhari.Tk